Rizvanolli: Po shqyrtohet mundësia për prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve të vogla në kanalet e KRU “Gjakova”

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot e ka vizituar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, prej ku ka njoftuar se po shqyrtojnë mundësitë për prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve të vogla në kanalet ekzistuese.
“Këto studime vijnë si vijim i një pune të shkëlqyeshme që po bënë ndërmarrja me laboratorë që monitorojnë cilësinë e ujit 24/7, sistem digjital SCADA për monitorimin e procesit të prodhimit të ujit, sisteme të energjisë solare që prodhojnë energjinë e nevojshme për pikat e pompimit, e me rritje të të hyrave për mbi 827 mijë euro, e ulje të shpenzimeve operative për mbi 247 mijë euro gjatë 9 muajve të parë të këtij viti në krahasim me 9 muajt e parë të vitit të kaluar”, citohet të ketë thënë Rizvanolli, sipas njoftimit që ka lëshuar Ministria e Ekonomisë.
Në takimin me menaxhmentin e kompanisë thuhet se ajo është njoftuar me procesin e punës dhe projektet që janë kryer dhe ato që janë në proces, si ndërrimi i gypave të rrjetit ujësjellësit nga AC në PE, në rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve, hidroizolimi i rezervuarëve në Dedaj, Reti, Dushkajë dhe Qerim, furnizim dhe montim i paneleve solare në stacionet e pompave, e projekte tjera.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?