KPK-ja dhe ZKPSH-ja i reagojnë Sallahut për “komentet nxitëse e tendencioze” për Specialen

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i kanë reaguar zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, pasi ky i fundit ka shpërndarë një status në Facebook të drejtorit të Financave në Telekom, Feim Kelmendi.
Kelmendi e ka quajtur Prokurorinë Speciale “organizatë kriminale” pasi ajo ka nisur hetime mbi disa kontrata.
“KPK dhe ZKPSH, deklarojnë se në vend që Zëvendësministri Sallahu të angazhohet dhe të ketë përkushtim maksimal, vullnet dhe iniciativa të shtuara për ngritjen e kapaciteteve, përmes rritjes së buxhetit të sistemit prokurorial për vitin 2025, i njëjti vihet në ballë të sulmeve sistematike ndaj prokurorive, prokurorëve dhe tërë sistemin prokurorial, duke harruar detyrën dhe përgjegjësitë e tij për t’u marrë me çështjet e avancimit dhe të fuqizimit të kapaciteteve përmes ndarjes buxhetore, që do t’i plotësonin nevojat e domosdoshme për kryerjen e punëve, mungesa e të cilit krijon barriera dhe paraqet vështirësi të mëdha në realizmin e përgjegjësive institucionale”, thuhet në reagim.
Këto dy institucione kanë deklaruar se nuk do të ndalen para “linçimit publik” të eksponentëve politikë, që sipas tyre, kanë vënë në shënjestër Prokurorinë Speciale dhe janë vënë në ofensivë denigruese ndaj vlerave të përgjithshme të sistemit prokurorial.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?