Aston Villa pëson humbjen e parë në Ligën e Kampionëve

Skuadra belge Club Brugges ka mposhtur Aston Villa në stadiumin “Jan Breydel” me rezultatin minimal 1:0, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Kampionëve, ndërsa Young Boy i Kastriot Imerit, me gjithë golin e tij, nuk arriti të fitojë në terrenin neutral kundër skuadrës ukrainase Shakhtar Donetsk.
Brugges fitoi në terrenin vendës me golin e kapitenit Hans Vanaken nga penalltia në minutën e 52-të.
Kjo është humbja e parë për Aston Villa qe nga fillimi i edicionit të parë në formatin e ri të garës më prestigjioze të klubeve evropiane.
Club Brugges renditet në pozitën e 20-të me gjashtë pikë, prej tyre dy fitore dhe dy humbje.
Në ndeshjen tjetër Shakhtar Donetsk mposhti ekipin zviceran Young Boys me rezultat 2:1. Kastriot Imeri solli në epërsi mysafirët në minutën e 27-të, pas asistimit të Ceikh Niasse.
Skuadra ukrainase, e cila për shkak luftës në Ukrainë takimet i zhvillon në terren neutral, “Veltins Arena” – Gjermani, u rikthye te fitorja me golat e Oleksandar Zubkov në minutën 31 dhe Heorhiy Suadakov në minutën 41.
Liverpool prin në tabelën e 36 klubeve më të mira evropiane me gjithsej 12 pikë. Pasojnë Sporting dhe Monaco me nga 10 pikë, Borussia Dortmund e Aston Villa kanë nga 9 pikë.
Tabela përmbyllet me pesë ekipet që nuk kanë asnjë pikë deri më tash – Leipzig (pozita 31), Sturm Graz, Cërvena Zvezda (3 ndeshje), Salsburg (3 ndeshje), Young Boys dhe Slovan Bratislava (pozita 36).
Sonte nga ora 21:00 zhvillohen duelet Bayern Munich-Benfica, Feyenoord-Salzburg, Cërvena Zveda-Barcelona, Inter-Arsenal, PSG-Atletico Madrid, Sparta Pragë- Brest dhe Stuttgart-Atalanta.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?