Gjermania do ta zgjidhë problemin e regjistrimit të kosovarëve si shtetas të Serbisë

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka treguar se është duke vazhduar evidentimi i shtetasve të Republikës së Kosovës të cilët janë regjistruar me automatizëm si shtetas të Serbisë nëpër komuna të ndryshme në Gjermani.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky problem i trashëguar prej më shumë se 16 viteve ka prekur dhjetëra mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjermani.
“Pas përpjekjeve të vazhdueshme dhe angazhimit tonë diplomatik, ju njoftojmë se shumë shpejt do të përfundojë evidentimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistruar me automatizëm edhe si shtetas të Serbisë në komuna të ndryshme gjermane. Ky problem i trashëguar prej më shumë se 16 viteve ka prekur dhjetëra mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjermani, duke iu shkaktuar probleme në forma të ndryshme. Nga takimi ynë i radhës me Bernd Krösser, Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme, pranuam konfirmimin zyrtar për zgjidhjen e këtij problemi të kamotshëm. Shumë shpejtë do t’ju informojmë mbi përmirësimin praktik të këtij procesi”, ka shkruar ambasadori Ajeti në Facebook. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?