Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti takim me Scholzin, i kërkon mbështetje për heqjen e masave të BE’së

Pas sesioneve dhe punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit,Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz në objektin e Kancelarisë gjermane.

Sipas njoftimit për media, Kurti ka kërkuar nga Scholz që Gjermania ta mbështesë largimin e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës.

Nga kancelari gjerman ka kërkuar edhe mbështetjen në adresimin e çështjes së hapësirës ajrore të Serbisë e cila mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt dhe nga Kosova tash e 25 vjet, “duke shkaktuar kështu si dëme financiare kompanive të fluturimeve ashtu edhe ndotje të mjedisit për shkak të zgjatjes së fluturimeve për dhe nga Kosova”.

“Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të tij, përfshirë këto që u nënshkruan dhe u dakorduan sot, përkatësisht Marrëveshjen për Qasje në Arsim të Lartë dhe Pranim për të Studiuar në Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028”, thuhet në njoftim.

Ata kanë folur edhe për procesin e dialogut.

“Sa i përket raporteve me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli, kryeministri tha se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiqit por edhe i grupit të tij për të cilin tashmë ka aktakuzë nga prokuroria e shtetit, dhe tërheqja e letrës së Serbisë në të cilën shpreh rezervat për Marrëveshjen Bazike janë themelore dhe dëshmi e vullnetit të mirë e mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button