Bajrami-pushtetit: Pas 9 shkurtit, disa do të shkojnë në shtëpi, e disa drejtësia do t’i çojë në Dubravë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se realiteti i inflacionit, korrupsionit dhe i izolimit të Kosovës nuk mund të fshehët me një tabelë as me një fotografi.
Përmes një postimi në Facebook tha se nga 2021 ka pasur rritje të çmimeve të produkteve dhe për këtë gjë ajo tha se ka marrë edhe ankesa nga qytetarët.
Tutje ajo tha se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, disa do të shkojnë në shtëpi, e disa tjerë sipas saj, drejtësia do t’i dërgojë në Dubravë.
“Më 9 shkurt, qytetarët pa asnjë dyshim do t’i thonë STOP hajnive me tenderë njëburimor që kanë kapur shifrën e 273 milionë euro. Më 9 shkurt, qytetarët do t’i çojnë në shtëpi mashtruesit që s’ia kanë sjellë asnjë njohje Kosovës. Që e kanë dërguar Kosovën në sanksione, që kanë hyrë thellë në korrupsion me Nagip Krasniqin, Martinë Berishajn dhe nëntokën e Vetëvendosjes. Do të kemi shumë punë pas 9 shkurtit sepse mashtruesit, gënjeshtarët, kontabilistët, shpifësit do të shkojnë në shtëpi e disa drejtësia do t’i dërgoj në Dubravë”, ka shkruar Bajrami.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?