Daja: Kemi humbur një formacion të tërë, shanset për kualifikim janë 50-50

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka reaguar pas barazimit të sotëm të skuadrës së tij ndaj Hamrun Spartans, ndeshje kjo e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar si vendas në “Zahir Pajaziti” të Podujevës, Ballkani barazoi pa gola, 0:0 me Hamrun.
Pas ndeshjes, Daja tha se ekipi i tij ende nuk është kompozuar mirë, ndërsa për kundërshtarin tha se nuk rrezikoi sot.
“Një ekip që nuk është kompozuar, në muajt e fundit janë larguar 7 lojtarë – nëse e shikojmë qe 1 vit, janë larguar një formacion i tërë. Sot kishim shanset për të shënuar, kishim një penallti të humbur, kundërshtari nuk na rrezikoi asnjëherë”, tha Daja.
Më tej, trajneri i Ballkanit e cilësoi kundërshtarin e sotëm të nivelit më të lartë se ai në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa për çështjen e kualifikimit tutje në Ligën e Konferencës, Daja tha se gjasat e Ballkanit janë 50-50.
“Kemi ndryshim nga ndeshja me Santa Coloman, e kemi kontrolluar gjithë lojën, niveli i ekipit maltez ishte më i lartë se ai nga Andorra. Do të luftojmë për këtë kualifikim, kemi shanset 50-50, do të tentojmë edhe në ndeshjen për një rezultat të dytë që na kualifikon”, tha Daja.
Ndeshjen e kthimit kundër Hamrun skuadra e Ballkanit do ta zhvillojë në Maltë me fillim nga ora 20:00.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?