Arratiset i dënuari për vrasjen e Oliver Ivanoviq, Gjykata Themelore në Prishtinë lëshon flet arrest

Policia e Kosovës, në pjesën veriore, tha se i dënuari në rastin e Oliver Ivanoviq ishte sipas saj i paqasshëm që prej datës 28 qershor kur u shpall aktgjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Marko Roshiq, që u dënua me dhjetë vjet heqje lire për, siç thuhet, përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviq, një politikani serb nga Kosova, nuk u paraqit në seancën përfundimtare të gjykimit.
Zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, i tha RTV21 se policia mori kërkesën për dërgim në paraburgim të Roshiqit në ditën e aktgjykimit dhe veproi sipas kërkesës së Gjykatës por nuk e gjeti në asnjë adresë të dënuarin. Por Elshani nuk dha hollësi të tjera nëse i njëjti mund të ketë kaluar kufirin me Serbinë. Arratisja e Roshiq çoi në një vendim të ri të Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila lëshoi urdhër arrest për të dënuarin. Gjykata i tha RTV21 se tani rasti është në duart e stacioit policer në Mitrovicë.
”Gjykata pas informimit nga Policia e Kosovës, se nuk ka mundur ta ekzekutojë vendimin e gjykatës, menjëherë ka lëshuar urdhër arrest për sigurimjin e prezencës së të akuzuarit dhe dërgimin e të njëjtit në paraburgim. Tani rasti është me urdhërarrest për arrestimin e këtij të akuzuari e të cilin urdhër e ka në zbatim stacioni polcor në Mitrovicë”, tha Gjykata Themelore.
Gjykata Themelore në Prishtinë bëri me dije se në ditën e shpalljes së aktgjykimit e kishte të pamundur ta arrestonte të akuzuarin meqë Roshiq, pavarësisht se ishte në dijeni të seancës, nuk ka qenë i pranishëm në gjykatë. Por Gjykata tha se me një aktvendim të posaçëm që në ditën e aktgjykimit me 28 qershor, të akuzuarit i është caktuar masa e paraburgimit. Ajo tha se me aktvendim e ka njoftuar përveç institucioneve të shtetit, përfshir Policinë e Prokurorinë Speciale edhe avokatin e Roshiq dhe vetë të akuzuarin. Në përgjigje të Gjjykatës thuhet se Roshiq nuk e ka konfirmuar pranimin e vendimit.
Katër të akuzuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq u dënuan me gjithsej 20 vjet burg së bashku. Marko Roshiq u dënua me dhjetë vjet heqje lire dhe në mesin e të dënurave janë edhe Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq.
Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviq, u qëllua me armë zjarri në veriun e Mitrovicës më 18 janar të vitit 2018. Ai ishte në pritje të rigjykimit nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?