Murati për deklaratën e Hillit: Normalizimi dhe njohja e ndërsjellë, dy synimet tona në dialog
Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë iu është përgjigjur ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se “Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian pasi evropianët po kërkojnë vetëm normalizim”.
Murati tha se Kosova përmes përfaqësuesit në dialog është e përkushtuar të arrijë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë. Sa i përket çështjeve të tjera dhe forcimit të subjektivitetit të Kosovës ne jemi duke vazhduar punën vazhdojmë punën. P.sh sot kishim miratimin e nismës për negocimin dhe ndryshimin e statusit të vendit tonë në organizatën ndërkombëtare të Frankofonisë, së fundmi patëm vlerësimin kreditor sovran, e para në histori të vendit, këto pra shërbejnë për përforcimin e subjektivitetit të vendit”, ka deklaruar Murati.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?