Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti u bën thirrje përfaqësuesve evropianë ta mbështesin Kosovën në KiE

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se gjatë qëndrimit në Bukuresht në konferencën e Partisë së Socialistëve Evropian (PES) i ka ftuar zyrtarët evropianë që ta mbështesin Kosovën në rrugëtimin drejt Këshillit të Evropës, veçanërisht në votimin e radhës më 16 prill në Asamblenë Parlamentare.

”Në konferencë e margjina të saj bashkëbiseduam por edhe patëm kënaqësinë të ishim edhe në praninë e Komisionerit Evropian dhe njëherazi kandidatit unanim të PES-it për President të Komisionit Evropian, Nicolas Schmit, Kryetarit të PES-it dhe ish-Kryeministrit të Suedisë Stefan Löfven, gjithashtu të Kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Zëvendëskryetares të Parlamentit Evropian, Katarina Barley, Kryetares së grupit të socialistëve dhe demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, Iratxe Garcia Pérez, dhe shumë përfaqësuesve të tjerë prej partive anëtare të PES-it. Të gjithë të pranishmit, i ftova që ta mbështesin vendin tonë në rrugëtimin drejt Këshillit të Evropës, veçanërisht në votimin e radhës më 16 prill në Asamblenë Parlamentare”, ka shkruar Kurti.

Ai është shprehur i kënaqur që është rikthyer mes miqsh në familjen e madhe socialdemokrate evropiane.

Tutje kryeministri ka thënë se socialdemokracia i bart idetë, traditën dhe vlerat për të mbrojtur e zhvilluar demokracinë dhe evropianizmin, në një kohë kur “ato janë të rrezikuara nga forcat e regjimet autokratike që synojnë dobësimin e Bashkimit Evropian”.

Kurti ka thënë se gjatë qëndrimit në konferencën e PES-it, midis përfaqësuesve të partive të ndryshme, ishte pjesëmarrës në pritjen e kryeministrit të Rumanisë, Marcel Ciolacu./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button