Joseph: SHBA e BE përmes Kyivit ta çojnë Kosovën drejt njohjes ndërkombëtare

Profesori amerikan, Edward Joseph e sheh të zymtë situatën në Ballkan pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë. SHBA-ja dhe BE-ja, sipas tij, duhet t’i kuptojnë më mirë implikimet e asaj lufte në rajon dhe të marrin qëndrimin e duhur ndaj Kosovës, të cilën, ai thotë se duhet ta avancojnë drejt njohjes ndërkombëtare dhe ta sjellin Serbinë në pranimin e rendit perëndimor.
Kjo, sipas tij, do ta izolonte Putinin dhe do t’i jepte më shumë siguri Ukrainës.
Joseph shkruan për zhvillime shqetësuese në Ballkanin Perëndimor që prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Në thelb, SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë arritur ta kapin atë mundësi – dhe nevojën – e krijuar nga pushtimi i Putinit për t’i mbyllur mosmarrëveshjet e trashëguara etno-kombëtare nga kolapsi i Jugosllavisë tri dekada më parë. Më kryesorja ndër këto çështje të pazgjidhura është refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e vitit 2008 të ish-krahinës së saj, Kosovës”, shkruan Joseph.
Ai shkruan se “leva e Serbisë mbi Kosovën” po e lejon presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që “ta izolojë ish-krahinën”, gjë që ai thotë se e ka prioritet, dhe “ta vazhdojë falsitetin e tij” të “ekuilibrit” midis BE-së dhe Hungarisë, Kinës e Rusisë.
Ai kujton se “shfaqja më tronditëse e paqëndrueshmërisë rajonale ka ndodhur në Kosovë më 24 shtator 2023”, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Ndër tjera Joseph shkruan edhe për mundësinë që Kosova ta marrë njohjen nga Spanja.
“Vendimi themelor i Spanjës në janar për ta njohur pasaportën e Kosovës (pas liberalizimit të vizave të BE-së për qytetarët e Kosovës) sugjeron se Madridi mund të lëvizë drejt njohjes së plotë, nëse Kyivi së bashku me Athinën dhe vendet tjera mosnjohëse ta ndryshojnë pozicionin e tyre”, shkruan profesori amerikan.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?