Kurti thotë se e kanë mbajtur fjalën për arsimin: Janë ndarë mbi 10 mijë bursa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se e ka mbajtur fjalën kur kanë thënë se arsimi i lartë public do të jetë falas.
Në të njëjtën kohë Kurti ka thënë se janë shtuar mbështetjtet ndaj studentëve.
“E kemi mbajtur fjalën për studentët kur kemi thënë se arsimi i lartë publik do të jetë falas. Në të njëjtën kohë e kemi shtuar mbështetjen për ta. Janë gjithsej mbi 10,200 mijë bursa për studentë që janë ndarë gjatë këtyre tre vjetëve. Prej tyre, mbi 5,170 Bursa Elitare. Mbi 4,880 bursa për studentë në fushat STEM – shumica prej tyre për vajza dhe gra. Në Universitetin e Prishtinës pjesëmarrja e studenteve vajza në fushat STEM është në masën 50%. Mesatarja e vendeve të BE-së është 17%. Pastaj mbi 80 bursa për studentë nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Mbi 70 tjera për studentë me nevoja të veçanta. Dhe rreth 80 bursa për studentë të dalluar për studime jashtë vendit”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Tutje, Kurti ka thënë se brenda tri viteve është hartuar strategjia e arsimit 2022-2026 e cila rregullon funksionimin e arsimit nga fëmijëria e hershme deri te arsimi i lartë.
“Arsimi dual për të cilën kemi folur gjatë sa kemi qenë opozitë, po bëhet sa jemi në qeverisje. Ajo është një prej ndërmarrjeve më të mëdha për ta lidhur dhe ndërlidhur shkollimin profesional me tregun e punës, arsimin me ekonominë. Në vitin e dytë akademik të zbatimit, janë gjithsej 12 profile, në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna anekënd Kosovës, në të cilat deri më tani janë të përfshirë 920 nxënës. Brenda këtyre tre vjetëve kemi hartuar strategjinë e arsimit 2022-2026, ligje dhe udhëzime administrative që rregullojnë funksionimin e arsimit nga fëmijëria e hershme deri te arsimi i lart”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka përmendur edhe asistentët e punësuar për fëmijë me nevoja të veçanta dhe renovimin dhe adoptimin e qerdheve.
“Deri më tani janë punësuar mbi 280 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta. Si nivel qendror kemi ndarë buxhetin për komuna për punësimin e gjithsej 500 asistentëve. Kështu po e plotësojmë premtimin tonë për 500 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, sepse shteti dëshmohet më së shumti dhe më së pari aty ku nevojat janë më të mëdha. Ndërkaq për edukim të hershëm, po investojmë në ndërtimin, renovimin e adoptimin e gjithsej 34 çerdheve. Për herë të parë po bëhet rishikimi përmbajtësor i teksteve mësimore që është themeltar për ngritjen e cilësisë së arsimit dhe dijes e informatave që marrin nxënësit tanë. Në prag të tri vjetorit të qeverisë, u finalizua dosja me më shumë se 600 faqe nga rishikimi i gjithsej 38 teksteve mësimore të klasave I-IX, për gjuhë dhe matematikë. Ekspertët hartues kanë vlerësuar se 28 tekste e plotësojnë pragun e kalueshmërisë prej 80% por që megjithatë kanë nevojë për përmirësime”, ka shkruar tutje Kurti.
Kruti përmendi edhe lansimin e Sistemit Informativ të Kosovës për Kërkime Shkencore që mbledh të dhëna për indikatorët e hulumtimit dhe inovacionit në vend.
“U rikthyem në ENQA si anëtare e asociuar, pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim në vitin 2019. Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në programin “Horizon Europe”, program ky që e mundëson bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit. Lansuam Sistemin Informativ të Kosovës për Kërkime Shkencore (KRIS) i cili për herë të parë mbledhë të dhëna për indikatorët e hulumtimit dhe inovacionit në vend. E pas një dekade, rifunksionalizuam Këshillin Kombëtar të Shkencës dhe miratuam Programin e ri Kombëtar të Shkencës për vitet 2023-2028, i cili është dokumenti bazë për financimin e punës kërkimore shkencore në vend”, përfundon Kurti./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?