Kaloni te përmbajtja kryesore

Gërvalla: Aleanca perëndimore ktheu drejtësinë, solli lirinë e demokracinë

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka kujtuar ditën e 24 marsit të vitit 1999, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë.

Gërvalla u shpreh se aleanca perëndimore po luftonte regjimin serb, për të mbrojtur popullin e Kosovës.

Tutje, Gërvalla përshkroi edhe luftën njëshekullore të shqiptarëve deri në ditën e çlirimit të tyre.

Ajo tha se NATO po kthente drejtësinë e munguar, po shpëtonte shqiptarët e Kosovës, po e sillte lirinë e demokracinë.

“Sot mbushen 25 vjet nga 24 marsi 1999, kur aleanca më e madhe ushtarake e të gjitha kohërave, NATO, filloi sulmet ajrore kundër caqeve serbe për të ndaluar më në fund dhunën sistematike serbe, brutalitetin, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin ndaj një populli të pafajshëm. Për herë të parë që nga themelimi i saj, NATO po vepronte me forcë dhe po e bënte këtë për të mbrojtur jetën e njerëzve të pafajshëm, për të ruajtur paqen botërore dhe për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga shfarosja. Në zemër të Evropës, aleanca perëndimore po sulmonte regjimin serb që kishte një forcë ushtarake, paramilitare e policore të organizuar e të sofistikuar, por barbare për nga etika duke mbrojtur kështu edhe të drejtat e njeriut, lirinë e demokracinë, thjesht qytetërimin. Duke sulmuar regjimin gjenocidal serb, NATO po mbronte njerëzimin”, shkroi Gërvalla në Facebook.

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button