Përleshje mes nxënësve të shkollave fillore në Prishtinë, siguria në shkolla jo në nivelin e duhur

Edhe pse këto ditë opinioni kosovar po vlon nga vrasja makabre e një të riu në Podujevë, për të cilën dyshohen dy adoleshentë, dhuna mes të rinjve s’ka të ndalur.
Këtë të mërkurë, dy gupe nxënësish nga shkolla të ndryshme u përplasën fizikisht përpara “Shkollës së Gjëlbër”, ku kishin ardhur pesë nxënës të shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, drejtori i së cilës, Xhavit Berisha në një prononcim për RTV21 pohon se bëhet fjalë për nxënës problematik që tashmë njihen si recidivistë.
‘’Ata nuk janë nxënës të rregullt përveç se dy prej tyre, njëri është në 9/3, njëri është 7/3, ndërsa tre prej tyre janë përsëritësa dhe asnjëherë nuk i vijojnë mësimet, jemi përpjekë me të gjitha legjislacionet në fuqi që kemi dhe përpjekë me i kthy në shkollë…njihen, ata zakonisht na kanë shkaktu brenda shkollës, mirëpo kësaj radhe përmes internetit për me ardh deri te kjo mirëpo ata nxënës janë recidivist apo ish nxënës të them për arsye se nuk vijnë në shkollë…”, tha Berisha.
Ndërsa drejtori i Shkollës së Gjelbër, Besart Ismajli, thotë se shkaqet e këtij incidenti ende nuk dihen.
‘’Mas procesit mësimor jashtë objektit të shkollës ka ndodhë një rrahje. Në këtë rrahje fatmirësisht prindërit kanë intervenu. Bashkëpunimi i mirë i shkollës me prindërit dhe komunitetin e ka parandalu një gjë edhe më të keqe kështu që fatmirësisht që nuk ka ndodhë ma e keqja. Me këtë rast është duke u marrë Policia e Kosovës…”, tha Ismajli.
Duke komentuar këtë rast, psikologia, Kumrije Ismajli-Canolli, për RTV21 thotë se rrjetet sociale kryesisht janë mollë sherri mes adoleshentëve. Ajo konsideron se një pjesë të fajit e kanë edhe prindërit, të cilët, sipas saj, nuk i kontrollojnë fëmijët e tyre.
“Kaniherë nxënësit hezitojnë me fol direkt me psikologun ose mësimdhënësit, e kanë atë besimin dhe të shprehurit më të afërt me bashkëmoshatarët e tyre…gjëja e parë ne që ndërmarrim është bërja e identifikimit e rastit, pse dhe si po ndodhë, kush është ngacmuesi, kush është viktima, njoftohen prindërit dhe organet e rendit, në këtë rast policia është ligji edhe për të miturit, këto janë masat që i ndërmarrim…”, tha Ismajli-Canolli.
Derisa, Policia e Kosovës është duke u marrë me këtë rast, ndërkohë nga ky institucion bënë të ditur se vitin e kaluar përleshjet mes të rinjve në shkolla shënuan rritje në krahasim me vitin 2022.
“Sa i përket rasteve në shkolla dhe në afërsi të tyre, rastet më të shpeshta gjatë vitit 2023 janë: lëndim i lehtë trupor-155 raste, sulm-53 raste, posedimi armës se ftohtë-47 raste (kurse 8 raste posedim i armës së zjarrit). Po ashtu, në shkolla dhe në afërsi të tyre gjatë vitit 2022, rastet më të shpeshta janë: lëndim i lehtë trupor-148 raste, dëmtim prone 61 raste, posedimi armës së ftohtë- 69 raste (kurse 14 raste posedim i armës së zjarrit), etj’’, Grafika e Policia e Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2023, janë regjistruar gjithsej 1992 raste të dhunës në të cilat ishin përfshirë miturit të moshës 14 deri 18 vjeç./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?