Pas aktakuzës reagon Dedaj: Keqpërdorimi i pushtetit

(Lajm i përditësuar)
Pas aktakuzës reagon Dedaj: Keqpërdorimi i pushtetit
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj ka reaguar pas aktakuzës që është ngritur ndaj tij nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kërcënim ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Në një postim në Facebook, Dedaj këto akuza i ka quajtur shfrytëzim të detyrës për qëllime të përndjekjes politike.
“Keqpërdorimi i pushtetit, për të përndjekur kundërshtarët politikë, është KRIM! Poshtë shpifjet, linçimet, diskriminimi, shantazhimi dhe përndjekjet politike stalinisto-bolshevike në Kosovë, mbi baza politike, ideologjike, gjinore, rajonale, partiake, etnike dhe fetare”, ka shkruar ai në Facebook.
Aktakuzë ndaj Gjergj Dedajt për kanosje të presidentes
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj për kërcënim ndaj presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani
“Ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, ka thënë ajo.
Për rtv21.tv këshilltari i presidentes, Vjosa Osmanit, Bekim Kupina kishte treguar se Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?