Temperatura në Finlandë dhe Suedi nën minus 40

Finlanda dhe Suedia kanë regjistruar temperaturat më të ulëta të dimrit të martën, kur termometrat treguan në minus 40 gradë Celsius, ndërsa rajoni nordik po përballet me një valë të ftohtit.
I ftohti dhe bora kanë çrregulluar transportin nëpër rajon, përfshirë edhe në Norvegji ku një autostradë e madhe në jug është mbyllur shkaku i motit dhe po ashtu linjat e trageteve kanë pezulluar punën, raporton agjencia “AP”.
Nikkaluokta, një fshat i vogël i banuar me banorë indigjenë Sami në veri të Suedisë, ka regjistruar të martën temperaturë minus 41.6 gradë Celsius.
Instituti Hidrometeorologjik i Suedisë, ka raportuar temperatura minus 30 gradë Celsius në disa lokacione në veri të Suedisë, dhe ka lëshuar paralajmërim për borë dhe erëra në pjesën qendrore dhe jugore të Suedisë. Është shkalla e dytë më e lartë e paralajmërimit dhe vlen nga mesnata e të mërkurës.
Në Finlandë, u regjistrua temperatura më e ulët e këtij dimri në qytetin veriperëndimor Ylivieska. Atje temperatura arriti të martën në minus 37.8 gradë Celsius. Dhe meteorologët parashikojnë që temperaturat të shkojnë në minus 40 gradë Celsius në disa pjesë të vendit gjatë javës.
Temperaturat në kryeqendër të Finlandës, Helsinki, është paraparë të sillen nga minus 15 deri minus 20 gradë Celsius.
Në qytetin jugor të Norvegjisë, Arendal, zyrtarët kanë thënë se shkollat do të mbyllen të mërkurën, pasi nuk është e mundur të pastrohen trotuaret në mënyrë që fëmijët të arrijnë në shkolla.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?