Lavrov ik nga pyetjet e gazetarëve në Shkup

(Lajm i përditësuar)
Lavrov ik nga pyetjet e gazetarëve në Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, nuk u ndal për deklaratë para gazetarëve gjatë hyrjes së tij në sallën “Boris Trajkovski”, ku po mbahet Këshilli i 30-të Ministror i OSBE-së.
Lavrovit megjithëse iu bënë disa pyetje nga gazetarët, ai u largua pa u përgjigjur.
Pjesëmarrja e Lavrovit shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.
Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.
Këshilli i 30-të ministror i OSBE-së në Shkup, samiti nisi me pritjen e delegatëve nga 57 vende
Maqedonia e Veriut dhe kryeqyteti Shkupi janë nikoqir të Këshillit të 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, ku marrin pjesë rreth 1000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vende partnere. Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani mëngjesin e sotëm ka pritur delegacionet.
Në ngjarjen më të madhe politike ndërkombëtare të organizuar në vend që nga pavarësia marrin pjesë krerët e diplomacisë së numrit më të madh të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së – SHBA, Kanada, Britania e Madhe, ministra nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, nga Mesdheu, Lindja e Afërt dhe Azia Qendrore.
Takimin ministror që po mbahet në Qendrën sportive “Boris Trajkovski” zyrtarisht do ta hapin kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryesuesi me OSBE-në, ministri Bujar Osmani dhe kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Pia Kauma. Në pjesën e hapur të seancës plenare, raport do të paraqesë Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Shmid.
Në ditën e parë janë planifikuar edhe dy ngjarje shoqëruese: Nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe shfrytëzimit të digjitalizimit, pas së cilës do të pasojë edhe adresimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike në sigurinë njerëzore në zonën e OSBE-së. Nesër do të mbahen tre aktivitete shoqëruese me temën “Të rinjt dhe shoqëria civile”, “Bëhet fjalë për njerëzit – ndikimi i operacioneve në terren të OSBE-së në 2023” dhe “Ruajtja e pluralizmit – siguria e grave gazetare”.
Gazetarët e akredituar do të mund të ndjekin edhe seancën plenare përfundimtare të Këshillit Ministror të OSBE-së, pas së cilës do të pasojë një konferencë përfundimtare për shtyp me kryesuesin, Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, me përfaqësuesin e Maltës, e cila është kryesuesja e radhës e Organizatës dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Shmid.
Takimi ministror nisi dje me darkën joformale të shumicës së ministrave, ku temë e bisedës ishte agresioni ushtarak ndaj Ukrainës dhe nevoja për një Organizatë funksionale në kohë konfliktesh dhe tensionesh të shtuara.
Nis punimet samiti i OSBE-së në Shkup
Në Shkup të Maqedonisë së Veriut, më 30 nëntor nis punimet samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me pjesëmarrjen e diplomatëve të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit.
Pjesëmarrja e diplomatit rus u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Kjo ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.
Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.
Kryediplomati amerikan pas darkës joformale është larguar nga Shkupi duke shmangur kështu praninë e tij në një sallë me homologun e tij rus, Lavrov.
Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani, diplomati amerikan ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut për kryesimin me sukses të OSBE-në, ndërsa mirëpriti edhe përzgjedhjen Maltës si kryesuesen e radhës me këtë organizatës gjatë vitit 2024.
“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken.
Kryediplomati maqedonas Osmani e falënderoi Blinkenin për mbështetjen e jashtëzakonshme, siç tha, gjatë kryesimit të OSBE-së, ndërsa e njoftoi për “zgjidhjen e sfidave kritike ekzistenciale për kryesimin e OSBE-së në vitin 2024”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.
Por, komente mbi pjesëmarrjen e diplomatit rus bëri përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, gjithashtu pjesëmarrës në darkën joformale të Këshillit Ministror të OSBE-së.
Borrell tha se “ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duhet të dëgjojë nga pjesëmarrësit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup se pse Rusia është e izoluar dhe e sanksionuar dhe duhet t’ia përcjellë mesazhet Kremlinit”.
Shefi i diplomacisë evropiane tha se i kupton vendet si Ukraina, Estonia, Letonia dhe Lituania, të cilat vendosën ta bojkotojnë samitin për shkak të pjesëmarrjes së Lavrovit, por edhe Shkupin për vendimin e tij për t’ia mundësuar pjesëmarrjen zyrtarit rus.
“Unë e kuptoj që disa vende pjesëmarrëse nuk ishin të kënaqura me vendimin tuaj për të marrë pjesë ministri Lavrov, e kuptoj, sepse me luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, ajo po minon të njëjtat parime të OSBE-së dhe po i shkel ligjet, dhe për këtë arsye po përballet me sanksione ndërkombëtare dhe izolim. Megjithatë, vendimi juaj për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrovit është në përputhje me qëllimin tonë të përbashkët, për të mbajtur gjallë multilateralizmin”, tha Borrell.
Zyrtari i lartë evropian tha se e mirëpret marrëveshjen që Malta të jetë kryesuese e OSBE-së për vitin 2024 dhe shtoi se beson se vendimi do të konfirmohet në samitin e Shkupit.
Njëjtë, sikur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pas takimit joformal është larguar nga Shkupi për të shmangur një takim me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.
Gjatë punimeve të samitit, përveç vendimit për kryesuesin e radhës me OSBE-në, pjesëmarrësit duhet të miratojnë edhe vendimet tjera, si buxhetin dhe të caktojnë drejtuesit në pozitat kyçe të organizatës.
Në ditën e parë të Këshillit, të enjten, është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.
Takimi dyditor i Këshillit Ministror të OSBE-së është ngjarja më e madhe diplomatike që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.
Autoritetet maqedonase kanë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë duke kufizuar qarkullimin në pjesët kryesore të Shkupit, ndërsa është shpallur edhe ditë pushimi në kryeqytet.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?