Mandiq zgjidhet kryetar i ri i Parlamentit të Malit të Zi

Andrija Mandiq është kryetar i ri i Parlamentit të Malit të Zi dhe, njëherësh, anëtar i Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, i cili komandon Ushtrinë e Malit të Zi.
Mandiqi e mori mbështetjen e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi (partia e ish-Frontit Demokratik), Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe dy parti shqiptare, gjatë votimit në një seancë të Parlamentit malazez të hënën pasdite.
Parlamenti malazez i ka 81 deputetë.
Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë u larguan nga salla para votimit. Ata lidhën një fjongo të zezë në mikrofon në emër të, siç thanë, ditës së zezë për demokracinë në Mal të Zi.
Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.
Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.
Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.
Është, gjithashtu, i afërt me ideologjinë e lëvizjes çetnike, e cila ka bashkëpunuar me Gjermaninë hitleriane në Luftën e Dytë Botërore.
Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007.
Tash e dy dekada është deputet në Parlamentin e Malit të Zi.
Ai u zgjodh me krye të këtij institucioni me … vota.
Zgjedhja e Mandiqit është pjesë e një pakete më të gjerë të ndarjes së pushtetit.
Sipas marrëveshjes së mandatarit për kryeministër, Millojko Spaijiq, me shumicën e re, partitë e Frontit Demokratik do ta mbështesin Qeverinë e tij të pakicës në Parlament dhe, në fund të vitit të ardhshëm, do të bëhen zyrtarisht pjesë e saj.
Uashingtoni zyrtar ka paralajmëruar dhe shprehur disa herë shqetësim se Qeveria e re përbëhet nga parti dhe liderë që janë aktivisht kundër vlerave euroatlantike.
Qëndrim i ngjashëm është shprehur në disa raste edhe nga institucionet evropiane./rel
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?