Millovan Bozhoviq dënohet me 7 muaj burgim për incidentet në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të pandehurin, Millovan Bozhoviq me shtatë muaj burgim për veprën penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm” dhe për djegie të veturave në veri.
Atij do t’i llogaritet koha e mbajtur në paraburgim, si dhe do t’i paguajë 100 euro për procedurën dhe 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave.
Ndaj Bozhoviqit është ngritur aktakuzë më 16 tetor të këtij viti. Ai akuzohej se kishte shkaktuar zjarrvënie në protesta të dhunshme, ndërsa në seancën e 26 tetorit, mbrojtësi i tij e kishte pranuar fajësinë.
Të dëmtuarit V.K dhe D.S nuk kanë parashtruar kërkesë pasurore juridike.
“Me datë 30.03.2023 në Zubin Potok i akuzuari M.B kishte marr pjesë në turmën e mbledhur prej më shumë se tetë (8) personave, të cilët me veprime të përbashkëta kishin kryer një apo më shumë vepra të rënda penale si Zjarrëvënia dhe Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, në atë mënyrë që në orët e mëngjesit në rrugën “Luka Pridvorjanina”, kishin djegur dy vetura e të cilat mbanin targat e regjistrimit RSK, vetura këto të cilat ishin pronë e të dëmtuarit V.K dhe të dëmtuarit D.S, ku si pasojë e djegies së tyre kishin shkaktuar dëm të konsiderueshëm material”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?