Rrahmani: Nuk ka kuptim bojkotimi i seancave dhe mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani deklaroi se pozita e opozita ka më shumë tendencë për polarizim se sa kujdes ndaj vendit. Teksa kritikoi mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita, ai nuk u pajtua as me lëshimin e sallës plenare të bashkëpartiakëve të tij. Ai tha se nuk ka asnjë kuptim bojkotimi i seancave të thirrura nga opozita e as mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Në seancë të jashtëzakonshme ku po debatohet për ngritjen e koeficientit të pagave, ai tha se duhet të rishikohet meqë shërbyesit po largohen nga institucionet publike.
Deputeti i shumicës parlamentare, Eman Rrahmani tha se është i papranueshëm bojkotimi i seancave.
“Është një situatë e papranueshme për të gjithë, kjo që është duke ndodhur në përgjithësi në vendin tonë, e në veçanti në kuvend. Nuk ka asnjë kuptim, as bojkotimi apo mos votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që po bëhet prej opozitës. Mirëpo, asnjë kuptim nuk ka as bojkotimi që bëhet i seancave të thirrura nga opozita për të diskutuar për çështje të tjera. Fatkeqësisht ajo që po shihet është më shumë tendenca e polarizimit edhe vënies në grackë, qoftë të opozitës apo opozitës për tu dëmtuar më shumë politikisht se sa për të pasur hallin e kujdesit ndaj vendit. Nëse janë kaq të rëndësishme këto, besoj që mua nuk po më habitur fakti duke e parë edhe rastin ose gjendjen, përballjet, kundërshtimet që po bëhen me rastin e dialogut. Nëse aty nuk po arrijmë të gjejmë një bashkëpunim, një koordinim pozitë-opozitë të gjithë, sidomos në fazën në të cilën kemi hyrë, në fazën më vendimtare për vendin tonë, këto çështjet tjera besoj janë shumë më të kuptueshme për të mos pasur pajtime”, deklaroi ai.
Rrahmani komentoi edhe deklaratën e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se është gabim të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.
“E dëgjova më herët kryetarin e GP të PDK-së që tha ‘do të ju bllokojmë marrëveshjet’. Ato janë marrëveshje të Republikës së Kosovës, nuk janë marrëveshje as të qeverisë e as të kuvendit. Nëse marrëveshja është e dëmshme për vendin, duhet të kundërshtohet duhet të votohet kundër. Mirëpo, ‘do ta bllokojmë derisa të rrëzohet’, kush humb aty? Aty humbin vetëm qytetarët. Edhe në bojkotim e seancave mendoj që është duke u krijuar një praktikë shumë e rrezikshme për vendin, e cila për qëllim ka më shumë fajësimin e subjekteve politike se sa ndryshimin e gjendjes reale”, shtoi ai.
Ai ka përkrahur kërkesën e opozitës për ngritjen e koeficientit të pagave, meqë tha se njerëzit kanë filluar të largohen nga institucionet publike.
“Koeficienti i pagave është i ultë, duhet të shikohet, duhet të rritet. Për shkak që njerëzit kanë filluar me u largu prej institucioneve publike. Njerëzit të cilët kanë përvojë të gjatë, janë profesionist, po gjejnë mundësi shumë më të mira se sa të angazhohen në institucione publike. Kam kërkuar që të rritet paga minimale për shkak se nuk mund dhe nuk duhet të kemi një nivel të tillë të pagës, ku në të gjitha vendet e rajonit e kanë minimumin e dyfishit të pagës minimale sa e ka Kosova”, përfundoi ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?