Dështon miratimi i Projektligjit për financimin e partive politike
Në mungesë të vendimmarrjes ka dështuar në Kuvendin e Kosovës votimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike.
Këtë projektligj e ka arsyetuar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se me synim arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet partive politike për formën përfundimtare të këtij projektligji, Zyra e Kryeministrit ka organizuar tryezë diskutimi, por sipas tij, vetëm dy grupe parlamentare i janë përgjigjur ftesës.
Kryeministri ka theksuar se në këtë mënyrë konsensusi nuk është arritur.
Shefi i ekzekutivit ka shtuar se përmes Projektligjit të financimit të partive politike rritet transparenca dhe llogaridhënia ndaj publikut dhe më këtë vota arsyetohet.
Sipas tij, shkeljet e ndryshme të raportuara në media kanë shpërfaqur financimin jashtëligjshëm të partive politike dhe ndërlidhjes me korrupsionin.
“Miratimi i këtij projektligji është pjesë e agjendës evropiane për reforma dhe rekomandim i Raportit të Komisionit Evropian për vendin, por edhe kërkesë e qytetarëve dhe shoqërisë civile për transparencë në financat e partive politike. Si Qeveri jemi zotuar se do ta sjellim këtë projektligj në Kuvend dhe këtë e kemi bërë. Mirëpo, është përgjegjësi e jona kolektive që këtë projektligj ta miratojmë sa më parë. Ky projektligj është i domosdoshëm për transparencën e financimit të partive politike e me qëllim të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit. Për ne është e rëndësishme që projektligji të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe të ofrojë transparencë maksimale”, ka thënë ai.
Për projektligjin në fjalë, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se Grupi Parlamentar i partisë së tij nuk e mbështet këtë, pasi sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën.
Ai ka thënë se projektligji duhet të harmonizohet me Kushtetutën dhe ligjet ngase në këtë formë nuk arrihet llogaridhënia dhe transparenca e subjekteve politike.
“Të njëjtin projektligj që ka qenë kaq kundërshtues atëherë tash e keni sjellë pa asnjë ndryshim, ku po pretendoni se gjoja se po vendosni rregull me ketë projektligj. Kjo situatë nuk po iu bën nder, sepse ju po e paraqitni veten si të padijshëm atëherë, ndërsa sot si mashtrues. Ky projektligj duhet të punohet në mënyrë të harmonizuar me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Kështu siç është hartuar nuk arrihet ajo që synohet për transparencë, llogaridhënie të subjekteve politike dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Si i tillë, ne si Grup Parlamentar nuk e mbështesim”, është shprehur Lushtaku.
Derisa është shqyrtua ky projektligj, deputetët e LDK-së nuk ishin në seancën plenare.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?