Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi: Marrëveshja në Bruksel si pikë kthese në dialog

Fakti që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar në Bruksel më 27 shkurt se do të punojnë për zbatimin e planit evropian, Jetish Jashari, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, e sheh si një pikë kthese në dialog.
“Është thelbësore që zbatimi i propozimit të fillojë pa vonesë dhe me mirëbesim”, tha Jashari.
Zyrat ndërlidhëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë që nga viti 2013. Zyrat u krijuan në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për të lehtësuar zbatimin e saj.
Ato janë të vendosura në ambientet e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd dhe Prishtinë.
Që nga viti 2013, Dejan Paviqeviq mban pozitën e oficerit ndërlidhës të Serbisë në Kosovë.
Jetish Jashari vlerësoi se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve paraqet bazë solide për zgjidhjen e shumicës së çështjeve të hapura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ai pret që dialogu të përfundojë me njohje reciproke.
Plani për normalizimin e marrëdhënieve njihet në publik si propozimi evropian dhe ka marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Mbretëria e Bashkuar. Ai përcakton marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011.
“Takimi i mbajtur më 27 shkurt në Bruksel mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në prani të përfaqësuesit të lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borell dhe përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, padyshim është një pikë kthese në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.”, tha ai.
Beogradi zyrtar refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008./rel
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?